Dhe dimri po ikën – Zejnepe Ali Rexhepi
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
Poezi nga : Zeqirja Dhe Zejnepe Rexhepi
Gëzuar Ditën e Poezisë dhe Pranverës!
Dhe dimri po ikën
Ca ditë ruazore vargëzohen në mua
kur marsi të trokasë në portë
pranverash, e mbase ky behar
ka zjarrin e akullshkrirjes
mbi ngricën e zemrës tënde!
Ti hesht…
e akoma s’dukesh gjëkundi.
Në grimca malli t’u ndrydhën ëndjet
pranverave të hareshme më le
të shtegtoja e vetmuar ditëve të hirta,
shpresëhumbur
në imazhet e përthyera.
„Më mungon“ si kurorë fjalëyjesh
me ato të ëmblat tua pëshpërima
për dashuri…
për ne të dy,
harruar ecejakeve të kohës.
Pres t’më vish si një yll nga qielli shkëputur
a ndonjë grimcë meteori që sfidon rrëmbimthi
mungesat e mbrëmjeve të lodhura
dhe lutjet e mëngjeseve të brishta.
Më mirë me heshtjen tënde, sërish joshëse…
Edhe ashtu, dimri po ikën!
Z.A.R