Të përshëndes me dorë në zemër ! – Migena Arllati
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
TË PËRSHËNDES ME DORË NË ZEMËR!
Migena ARLLATI
Nuk do puthemi më mike e dashur,
s’ka më as përqafime,
shoqërimi, shtrëngimi mes nesh
tashmë i përket arkivimit,
me kokën mënjanë do flasim
si të ishim njerëz tinzarë,
nuk është gjarpri me mollën e ndaluar
një tjetër gjarpër helmon jetët tona
Ka aq shumë mikrobe rreth nesh,
kaq shumë molekula virusalë
që turren e dynden nga ti drejt meje
për t’më puthur në hundë,
në sy, në gojë e gjithkund
Tani, që grimcat Covid na duan,
na pushtojnë, na mbysin,
do të t’përshëndes me dorë në zemër,
e pëllëmbët e ngurtësuara
më njomen nga djersët në lutjen e gjatë
për botën e madhe të jetëve tona të vogla
E ju, që deri dje ikët nga dashuri e njerëzve,
sot gjeni rrugë arratie nga kthetrat virusalë!
13.03.2020
Migena Arllati