Gruaja e ve – Puntorie Muça Ziba
GRUAJA E VE
Gruaja e ve
në arkën e vjetëruar
fsheh:
mollë, mushmollë, arra, ftonj, lajthi e qershi
dhe i ruan stinë pas stine
për t’i këmbyer me një fjalë goje.
Nata që zgjat i hedh terr,
ajo qull këllëfin e linjtë me shi lotësh
dhe hap sytë
yllth më yllth
duke pritur agimin
për ta mbush zemrën me dritë.
Gruaja e ve
jeton me shikim të ngujuar në dritaren,
sa një faqe arkapie
dhe asnjë sy nuk e prek.
Vjeshtë e dimër
pret një trokitje të lehtë
si puhizë,
një shushurimë shavari
një gurgullimë të mbytur prej dallge
por, as era s’pëlcet në xham
t’ia zgjon një nerv
t’ia merr një shikim
sa ta këmben me pemë stinësh
një gjysmë fjale për të mirë,
a për të keq.
Gruas së ve
afër qerpikut të syrit
të azurtë
i rrëshqasin sumbulla loti.
Kur ikin stinët
ajo ka mall të flet me zogjtë
sa ta lëvdoj dashurinë
mes shelgjeve të heshtura
e ta fyej burrin
që kthehej pas mesnate si furtunë.
Gruaja e ve,ngre në qiell fëmijët urtarë
të përqafuar me jetën e tyre
në metropolet e mëndafshta…
Ah, ajo ndjell vdekjen e ngadaltë
dhe dëbon nga shqisa hundore
aromën e pemëve:
mollë, mushmollë, arra, ftonj, lajthi e qershi
që i ruan mot për mot
për t’i këmbyer me një fjalë goje.