Homazh për poetin – Gani Bytyçi
Homazh për poetin
Po të jetë dimër
kur vdes poeti
dimri do ë bëhet më i acartë
vdekja
do të na e dimërojë gjatë shpirtin
kur të vdes poeti
po të jetë kohë
e ndërrimit të moteve
do të mbetemi gjatë
në eklips kohe e dhembjeje
vitet do na braktisin
i vjetri do të ik
i riu nuk do të vie
dhembjen nuk e marrin motet
as i vjetri në ikje
as i riu në ardhje
do mbetemi gjatë
në stinë morti
po te jetë pranverë
kur vdes poeti
pranvera do të arratiset
sa të varfër do mbetemi
sa bosh do të jemi
lulet do t`i djeg pikëllimi
petalet do tu pikojnë lotë vese
dimri do të na stinojë gjatë shpirtin
po të jetë mëngjes
kur vdes poeti
agimi do të na braktis
nuk do kemi as këngë gjeli
as cicërimë zogu
dita do të ngel e varur
si foto e lidhur
me fjongo të zezë
kur vdes poeti
nëse do jemi në verë
gjinkallat do heshtin
për kohë të pacaktuar
të korrat do vonohen gjatë
vapa dotë na përcëllojë shpirtin
po të jetë natë
kur vdes poeti
nata bëhet varr
librin e zë trishtimi
vargu pikon dhembje
kur vdes poeti
të gjithë kemi vdekur ngapak
veç ai ka mbetur gjallë i tëri
ai vargun e ka bërë jetë
jetën e ka bërë varg
Gani Bytyçi