August 3, 2024

Letër Nënës (poezi kushtuar Nënë Terezës) – Anton Marku

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Letër Nënës
(poezi kushtuar Nënë Terezës)

Nënë
ti nuk pate vetëm një emër
vetëm një atdhe

Kur njeriu
harroi njeriun
ti
për të dytën herë
e pagëzove
fjalën dashuri

Jetë i dhe
nga jeta jote

Nënë
tash tokave tona
ca varrëmihës të rinj
kanë hedhur spirancën
mbi të vdekurit tanë po pështyjnë
si të ishin ngjizur
në trupin e gabuar
mbështjellur me petka gri
syskuqur
këmishëzinj

Nënë
lutu për popullin tënd
buzëdridhur
me fytyrë përdhe
që ende mban
kokën në duar
nga zvarranikë
në lëkurë të huaj
i rrethuar

Përgjuesit e heshtjes
janë shumuar Arbërisë
të thinjur
nga ëndërrat po zgjohen
e ylberit tënd
pas çdo shiu nga larg
ngjyrat po i varfërohen

Në këto kohëra shtërgatash
asgjë nuk na ndihmon
sa urata jote
që dhe e sotmja
të ngjajë me dje
e qiellit tënd
vetëtimat
të mos kryqëzohen mbi re

Nënë
bëj të ndriçojë
drita jote në ne

Anton Marku

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com