Endërr hyjnore – Violeta Allmuça
NDËRR HYJNORE
Më mungon sonte një shkëndijë të ndez zjarre
Më mungon qyteti im dhe zëri i fjalës së kulluar
Më mungon një shpirt dhe një ëndërr hyjnore
Më mungon fytyra e gurëve në tokën e pagëzuar…
Më mungon pema e dimrit që vuan nga zbrazëtia
Lisi i vjetër dhe purpuri përmbi trëndafilin rozë
Çatia e vjetër plasaritur nga shirat ku laget vetmia
Muret e pikturuara me emrat e gdhendur poshtë.
Mbi supet e lumit mungojnë yjet e mjaftueshme
Që duket sikur presin të rrymojnë se bregu i pret
Muza më josh të shkruaj edhe pse nuk isha e vetme
Bora e veshur me bardhësi pa u ndier më humbet.
Mbi rrathët e ujit dhe të hapësirës dëgjoj zërin tënd
Pas ëndrrave mblodha thërmijat e ndara pjesë-pjesë
E pashë dashurinë të ndriçuar që po vinte në këmbë
Dhe muza nuk më largohej, as nuk më linte të vdes…
Violeta Allmuça
Vjenë