August 7, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Liri

Tash mbeti bosh sheshi i madh,
rrugët u zbrazën pak nga pak
Një shtjellë me pluhur shkon përtej
Dhe fishkëllen nëpër parmakë

U fsheh gjithë njerëzi ngujuar
Mbas perdesh loz me pëshpërimë
Ndërkohë që lulet çelin frutin
Në këtë pranverë plot dëshpërim

Thonë vdekja del me kosë në sup
Po asnjëri nuk e ka parë
Nuk shohim plumba edhe bomba
Por vetëm numërojmë të vrarë

Dikush është vetëm duke lutur
Dikush bën vetëm dashuri
Ndoshta s’na gjen ku jemi futur
Thotë plak’e numëron tespi

U lodhëm pak nga pritj’e gjatë
Të ikë kjo flamë njëherë e mirë
Në botë ka luftë me armë të rënda
Por kjo na qenka më vështirë

Një ditë do dalim të thërrasim
Siç nuk ka thirrur kurrë njeri
Sepse njëherë e mirë kuptuam
Çfarë do me thënë vërtetë liri

Fatmir R Gjata

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com