August 7, 2024

Odë e ushtarëve të armikut – Xhevdet Bajraj

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

ODE E USHTARËVE TË ARMIKUT
(E imja është veç dhimbja)

S’ngritën as mur të pushkatimit
as deriçkë që shpie në jetë s’lanë
i vranë si tufën e zogjëve
në lastarin e lisit të jetës

ZJAAAARR

bubullimë
vetëtimë
dhe …
vlon gjaku

I shtrirë përtokë
tek po shuhej drita e jetës
Fatos Zhuniqi u përqafua me të birin
mbahu mos kij frikë vogëlushi im
po shkojmë në parajsë

Ç’t’i thoshte i vëllai të vëllait
babai të birit të mitur
i biri nënës
nëna mortit ç’t’i thoshte

S’di çfarë race djalli festonte
ditëlindjen e pesëdhjetëeshtatë
por pesëdhjetëeshtatë qirinj jete fiku
veç me një frymë

Ndiqeshin dielli me hënën nëpër qiell
mespërmes klithmave të njerëzve
e krimbat majmeshin
nëpër këngët e braktisura nga vargjet

Pas dy dite i gjetën kufomat
të masakruarit flinin me engjëjt
dy orë iu desh njerëzve
për të ndarë babë e bir nga përqafimi i ngrirë

Kjo poezi s’është e imja
këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut
e imja është veç dhimbja
dhe ky vaj që … me ty e ndaj

Autor, Xhevdet Bajraj

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com