Tirana m’i ka borxh – Dhimiter Nica
TIRANA M’ I KA BORXH…
Njëzet vjet ke që prehesh nën dhe,
nëna ime!
Njëzet vjet kam edhe unë pa atdhe,
e mira ime!
Pesë herë gjashtë vjet,
kam që rrokullisem nëpër botë,
nëna ime!
Një herë në pesë a gjashtë vjet,
më qellon të puth ballin tënd të ftohtë,
e mira ime!
Në këto pesë herë gjashtë vjet,
Tirana është pesëfishuar,
nënokja ime!
Është mbushur me grant-pallatesh,
me kabriole, lamborghini, mercedesa
e plotë e plotë të tjera, të tjera !
A thua, se këtu njerëzit
kanë prekur parajsën?!
Një shëtitje e thjeshtë nëpër rrugë
dhe padashur qytetit ia heq maskën…
Nëpër qoshe grant- vilash e pallatesh,
fare pranë mercedesave e lamborghinave,
rrugët janë mbushur me fytyra të thata,
me trupa të zbehtë, me kocka të thekura,
si purteka bambuje të grisur,
që shtriqin dorën e kërkojnë pesë lekë!
Unë i pata xhepat plotë,
nënokja ime
edhe portofolin e pata plotë,
por duke gjesdisur rrugëve të Tiranës,
tani i kam të gjitha, të gjitha bosh…
(dhe një ditë Tirana do t’ m’ i kthej,
Tirana m’ i ka marrë borxh…)
Ti vet më thoje nëna ime,
nuk ka tmerr më të madh,
se një dorë e vogël, një dorë e tharë,
që shtrihet për një copë bukë thatë…
Në këto kushte erdha pranë teje,
të puth ballin e mermertë,
e si gjithmonë ti më pranove ,
e kurrë s’ më ke thënë pse u vonove,
e kurrë s’ më ke parë nga duart,
e mira ime, e ëmbla ime,
shpirtmadhja ime, për çdo kohë dhe epokë !
© Dhimiter Nica,Selanik.