Dimri tinzar – Kujtim Hajdari
DIMRI TINZAR
Sivjet çelën lule shpejt pemët e vendit tim,
Nuk më besuan kur u flisja për dredhitë,
I besuan dimrit kur rrezatonte plot shkëlqim,
U mbushën plot gjethe e varën gjithë stolitë.
Sa më erdhi keq se e dija shumë mirë,
Kush është i lig, në shpirt ka ligësitë,
I mbuloi me ftohtë dhe me borën e ngrirë,
Se kur shikoi lulet i vranë sytë bukuritë.
Po nuk i shava se më ka ndodhur shpesh,
Nga buzëqeshje tinzare e erëra të ftohta,
Të thyhem dhe unë kur rrugës i ndesh,
Pastaj vuaj nga ethe e dhimbje të forta.
Shpresoj që diçka të kenë mësuar këtë vit,
Dhe mua, të vuajturin, një fjalë t’ma dëgjojnë,
Tinzari dimër, kurthet e tij, i përsërit,
Mjerë ata që s’presin e pranverën nxitojnë.
KUJTIM HAJDARI