Kërkova qetësinë – Myrteza Mara
KËRKOVA QETËSINË
Pas gjurmëve të heshtjes kërkova qetësinë,
Eh, kot u mundova mbi rruzujt e djersës!
Diku një lule që qeshte mbi greminë,
Një zog “fajtor” në gojën e dhelprës.
Diku një flutur pa ngjyra në lëndinë,
Rrëkeza rropatej mbi gurët e pabindur;
Retë s’po ndiznin dot një vetëtimë,
Një mizë përpëlitej në rrjetë lidhur.
Era-kjo psherëtimë e dashurisë,
Nxitonte e ftuar në dasmën e vjeshtës;
Partiturat e dimrit-prelud i stuhisë,
Kot u mundova, qetësinë s’e gjeta.
U ktheva tek poetët në sofrën bujare,
Qetësia nuk njihej as në fjalor.
Me vargje urtësie, flakë si zjarret
Ndërtonin një urë nga poli në pol!
Fluturon koha në sofrën e poetëve
Oaz zhurme ky troku i gotave
Kështu ua kalojnë dhe mbretërve
Kënga e shpirtit-themeli i botëve!