Peizazh i vrarë – Myrteza Mara
PEIZAZH I VRARË
Pyje të shurdhër pa këngë,
Zogj të lodhur në fluturim,
Rè që kafshojnë me dhëmbë
Fjalë që pëlcasin si minë.
Anije të çara nga dallgët,
Dallgë të thyera në shkëmb,
Shkëmbinj pa lidhur plagët,
Qiej të grisur pa hënë!
Rrugë që rënkojnë dhimbje
Bunkerë kthyerë shtëpitë
Tokë që ëndërron për lindje,
Ditët si shtegu në pritë.
Yje që mbetën shtegëtimit,
Çerdhe jetime, pa zogj.
Trena që s’nisën udhëtimin
Udhëtarë që s’mbërritën dot.
Varre të hapur, pa emër,
Kosa e verbër korr jetë
Nëna që presin një letër,
Shtëpi të mbetura shterpë.
Buzë që puthjet i harruan,
Fjalë që mbetën në letër
Ëndërr e plagosur mërguar
Trishtimi e lodhi shpresën.
Bukë e papjekur në furrë,
Furr i pangopur me zjarr
Në mes të zjarrit jam unë,
Bashkë me peizazhin e vrarë.