Sot me kolosin – Puntorie Muça Ziba
SOT ME KOLOSIN
NJË RRUGË
variant
( Bekim FehmiuT)
Kalëroje fronin me këmbë odiseje
e të rëndoi një pellg deti
një tokë lume
mbi sytë bojë plumbi.
I uritur
për një copë bukë ndorme
nga një dorë miell hambari
nga duar nëne,
i etur
për stërkala qumështi
nga një dele rrunëzake
sa për ta lënë veten brenda ndijimesh shijore
shpirt varur në ajërin tënd.
( I miri i zanave)
Trupi yt i bukur
i zënë rob në lëmën e dërrasave të Talias
ku derdhe mushtin
ku ishe profet
pa një kokërr fjale të nënokes.
( Larg teatrit)
Kur natën hovte smira
e praptoheshin dërrasat
ku të kërcëllinin dhëmbë e kocka
ku ecje si lypës e si mbret
pa këmbë shqiptari,
ku zjarri e akulli
s’pjellnin pranverë
ku dashnia për lojën hyjnore
të rropi një copë lëkurë,
një copë mushkëri
dhe ike me këmbë druri
e muza t’i pinte lotët me kupë.
( Larg teatrit)
Mijëra copa ndjenjash,
kokrra lotësh
si kokrra breshëri
binin tej për tej,
përplaseshin rrugëve të botës
pa ajër Prishtine
pa ajër Prishtine.
( Vaj populli )
I vdekuri ynë u bë hi
u fut në urnë
e doli përsëri.
Ikni korba mos e ngani,
sytë e zi mos ia hani
se ka mbetur një mall vashe
dhe nënokja pa e parë.