Frymë atdheu – Ulku Bardh
FRYMË ATDHEU
“Atdhe dikush tinëz që po të vret natën,
dhe i përjargur haptas po të vajton ditën”
M’i presin dhimbshëm
Rrënjët e mia të vjetra
Që i kam të shpërndara
Nëpër dhera të huaj
Çdo pranvere të vonuar
Mi këpusin lulet…
Dorë të përgjakura
Monstrumi të përçudnuar
Po ma rrahin trupin tim të molisur
Erëra e ciklone detrash të çartur
Ma shartojnë nga nji pipth të huaj
Nëpër degët e mia të thyera
Ah, sharra ç’u ka hasur në gozhdë!
Vetëm ti Atdhe mundesh
Të m’i ushqesh rrënjët…
Me dheun tënd prej Atërie
Dhe të ma ngrohësh trungun tim
Me frymën tënde prej lashtësie
Frutet edhe në m’qofshin pak të egra
Ato e kanë aromën prej Shqiptarie!..
© Ulku