Kitara… një melodi trishtimi – Zejnepe Ali Rexhepi
Kitara… një melodi trishtimi
(Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës)
Në ritme amshimi derdh dhembjen liria,
pas kumtit të djallit nga tokë e largët nisur,
në duhmë gjaku, gdhiu një mëngjes janari,
kitara shpërndau nota trishtimi…
Dritat u shuan në ekuacione të panjohurash
nën flamujt e heshtjes mbërthyer prej kohësh.
Në sy, meteorë që rrinë ndezur…
Qielli ndjeu lotin me ftohtësi dimri,
tri yje shkëputur plandosen mbi dhe,
në drithma shpirti prek zëri i vëllait për vëllanë
rrëke gjaku përshkojnë Kadri Zekën,
fjala ngulfatet përtej çdo britme
mallkimi i Tokës ngjitet tempullit Ilir.
Një tis gjakimi ndez fanarë shpirti…
As shuhet, as tretet malli i nënës,
dashuria e nuseve fatprera shtegton me lotin…
Ç’janë ca gjeneralë, që pa ushtri bekojnë marshimin?!
Përtej zisë i ngrenë himne legjendës së vjedhur,
mbijetojnë në udhëkryqe të reja emër(t)imesh
hibride Karpatesh, s’i kapërthen as historia!
Të largëtat frymëzënie të vendlindjes!
Porosi jete gdhenden në epitaf…, Jusufi ngre zë:
Nëse këtë tokë e sheh ndonjëherë në ëndërr
lëri anash shenjtëritë dhe idealet e rastit,
në darka të gabuara mos u ul në sofër,
as në dialekte të përdhosura të gjuhës
fjalën tënde mos e thuaj kurrë, Bardhosh…
Heshtjes t’ia presim damarët e gjuhës!
Mos beso as në grimca lavdish,
emrin ruaje si drita e syve, Kadri Zekë!
Kosova, emër i shkruar në rrëfenja gjaku
është po i njëjti atdhe, ngritur mbi rrënoja
në sfond lulëkuqesh e shqiponjash…
mbretëria e dritës shtrin hijen më gjatë se jeta.
Të braktisën dallëndyshet me flatra diellore!
Kosovë…
Z.A.R