August 10, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Poezi kushtuar kolosit, të papërsëritshmit BEKIM FEHMIU. Kjo poezi u shpërblye me vendin e parë në Takimet e Poeteshave – Vushtrri, në vitin 2011, nga juria profesionale: Ibrahim Kadriu, Arsim Rexhepi, Xhevahire Izmak.

Një rrugë

(Kolosit të filmit, Bekim Fehmiut)

Eh, ti ecje vetëm
drejt një rruge
i djegur
pa pikë force
shtroje shputën mbi asfalt,
mbi gurë e baltë
mes shikimesh të përçudnuara
qensh e macesh rrugaçe
belgradase,
njëmijë vjet larg nga vendlindja.
Në mesin e ujqërve të kokës tënde
kalëroje udhën me këmbë odiseje
dhe të rëndonin pellgje gjakrash
mbi sytë bojë plumbi.

Si mbete gjallë
kur hapëroje kokulur
rrugës së Kalemegdanit
me këmbët e tua të vetmuara
kur anash pemët gojëliga
përqeshnin sharraxhinjtë e tu
e ju vëndonin nga një bisht.

( dimër, verë)

Gjithë ato vjeshta me baltë e shi,
gjithë ato verëra
pa një rreze,
verë e dimër narthje
të dridhej damari
mëngjeseve udhës së Beligradit
kur merrje nga pak ajër
mes shkurresh e egërsirash
larg mitrës së tokës tënde.
Një jetë betejë,
në rrugëtimin me këmbë Odiseje
pa asnjë këngë në buzë,
i uritur
për një copë bukë
nga hambari i Kosovës
me buzë të shkrumuara,
pa stërkala qumështi
nga një dele Sharri
që të shijon si qumësht
i thithur nga gjinjë nëne,
ah, i thithur nga gjinjë nëne…

(në shtratin e tokës së huaj)

Edhe në shtrat
trupi yt i bukur
i zënë rob
nuk prehej,
se rrinte varur në ajër
afër pjellës së farës së egër.
Çdo mëngjes të ftohtë
dëgjoje si të shanin e të rrihnin
belgratçe
dhe çdo ditë
të shtienin në altarin e vdekjes.
Si mbete gjallë
kur ti ecje,
ecje
se të shtynin
e të pështynin pas shpine
atje ku derdhje mushtin
pa një kokërr fjale të nënës tënde,
në amfiteatër,
brenda në boshësinë e shpirtit
ku t’i prenin kokat
e gjakut të derdhur lum
ku të ngulfaste zëri i të vdekurve
që nuk u dihej varri.
Atje ku ishe gjithçka dhe askush,
i ngazëllyer dhe i trembur
me një zemër fluide
që si gur rëndonte ,
brenda lëkurës tënde.

( larg teatrit)

Eh,
ti ike dhe e le
vetëm,
vetë vetë
dërrasën e Talias,
me këmbë druri ike…
Sa e doje atë dërrasë
ku ecje si lypës e si mbret
pa këmbë shqiptari
dhe,
sytë dritë nuk të bënin më
s’shikoje as petale lule dushku
e lulebore
asgjë shqip ne Belgradin e sertënuar
ku ti e gjete limontinë,
aty ku zjarri e akulli
s’pjellnin pranverë
aty,
ku ditë e natë
dimër, verë
të rropën nga një copë lëkurë koke,
zemre e mushkërie…

(në mes të ditës)

Mijëra copa ndjenjash,
kokrra lotësh
si kokrra breshëri
i binin tej për tej Kosovës tënde
dhe përplaseshin rrugëve
me asfalt Beligradi
pa ajër Prishtine
pa ajër Prishtine.
Dhe ti, kolos i artit hyjnor
mbete i ngujuar aty
në Beligrad
pas dergjes së nënave për sy biri
në pellgun e gjakut të kokave tua
larg bukës amnore
i kacavjerur në mendime
pa një përqafim,
pa një puthje të tokës tënde
pa i shikuar ëndrrat
kur jetoje brenda nesh
ti ëngjëll i kristaltë.

( vdekja të puthi me plumb)

Ku të mbeti arkëmortja
ti hero i kuq i krenarisë
së fisme…

( vaj populli )

I vdekuri ynë u bë hi
u fut në urnë
e doli përsëri.
Ikni korba mos e ngani,
sytë e zi mos ia hani
se ka mbetur një mall vashe
dhe nëneja pa e parë.

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com