Pa epilog – Zejnepe Ali Rexhepi
Pa epilog
(Jusuf Gërvallës)
Mëngjes i acartë ishte…
Kujtimet gërvishten nga kthetra të përgjakura
në re etjesh topitur,
dhembja mbështjellë me tingujt e kitarës
përvajshëm rrëfen historinë e pashkruar.
Atë mëngjes…
Janarit të përgjakur iu prenë damarët,
dhembja u plandos si copëza meteorësh,
në statuja të paemërta gurëzuar,
me gjuhë mallkimi rënkoi fjala.
As këtë përvjetor
s’u shterën gurrat e mallit që klithin shqip,
ironia derdh vrerin e kohës
mbi tokën me vatra zjarresh.
Pa epilog!
Liria si verigë lëvaret në dhëmbë bishash.
Tri jetë të shuara
pa të fundit mall, as fjalë.
Në tokën e ftohtë me lagështirë e gjak,
gjurmë që mbanë erë tradhtie
kudo trishtim pikturojnë.
Janari ngrin në sy të akullt,
Kristale lotësh kridhen në shpirt
Si atëherë,
Dhembja dergjet ndër mote.
Mëngjes i acartë ishte…
Z.A.R