E sotmja dhe ne… – Hasan Bulçari
E sotmja dhe ne…
…
Mbaruan fjalët, mbaruan fantazitë
Mbaruan vargjet, mbaruan poezitë
Edhe vizatimet që shiheshin çdo ditë
Mbaruan të gjitha…edhe paroditë!
Tani?! Ah tani prisni e dëgjoni!
Shkencëtare të gjithë nga mikrofoni,
Shkencëtare e koka edhe pas tastierës,
Ta shkruajnë si master në cv të karrieres…
…
Nuk duam më asgjë të dëgjojmë!
Në kini Zot, na lini të jetojmë!
T’ja themi vehtes, a të dashurës pranë
Të hidhurat që ikën, të ëmblat që vanë.
Ashtu, pa zë… vetëm me shikime,
Një lot i ëmbël dhe mijëra kujtime
Buzëqeshjen e lodhur shpejt ti ma kape
Dhe ballin ma fshive si dikur prej vape!
Dorën përmbi buzë, nuk më le të flas
Heshtjen kërkoje ashtu buzagas….
Dhe ndenjëm kohë… pa thënë asnjë fjalë,
Por thamë aq shumë sa shuamë dhe mallë!
Dhe u pamë gjatë, aq gjatë u pamë në sy
Vallë kishim mbetur vetëm ne të dy!?
Me frikë ngritëm kokën për të shikuar
Në kish të tjerë kështu të dashuruar…
Dhe tej dritares nga ballkoni aty,
Të gjithë pranë e pranë, dy edhe nga dy.
Të dy pranë e pranë me kokat mbështetur
Shikimi nëpër vite seç na ishte tretur.
Do të kemi kohë për t’i rënë qark botës,
Por sot mirë t’i vëmë gishtin kokës!
Jo, nuk fitojnë kurrë pandemitë,
Atje ku ëmbël…jetojnë dashuritë!
…
C@ne 07/04/2020
Itali