Fëmija – Kujtim Hajdari
FËMIJA
Hyri me frikë e drojtje pas nënës,
“Ndoshta ,sot nuk grinden më.”
Pëshpëriti pothuajse pa zë.
Ata, sa u panë filluan përsëri,
Dhe zërat e lartë që oshëtinin,
Dukej sikur kafshonin muret e shtëpisë,
Tavanet tundeshin sikur do të binin,
Ajo dridhej e tëra me të qarën ndër dhëmbë,
Dukej se shtëpia do ta zinte poshtë,
Dukej se ata do ta shkelnin me këmbë,
Me nervat që ngisnin mërinë me revan,
Me bisedat që tërhiqnin osh.
Vrapoi e doli jashtë, në ballkon,
Në faqe ndjeu lotët e nxehtë,
Koka po i fryhej si një tullumbace,
Veshët po oshëtinin nga të çjerrat,
Me dy duart e njoma i bllokoi fort,
Mbylli dhe sytë të mos shihte gjë.
Oh, sa dëshironte pak paqe,
Pak qetësi, një prehër të ngrohtë,
Muzgu sa kishte rënë,
Asaj iu duk sikur e mori në gjirin e tij,
Ta fshihte diku në një kënd,
Ta mbronte nga ajo marrëzi.
Kishin kohë që grindeshin,
Që kur u mbajt seanca e parë e gjyqit për ndarje,
Dhëmbët përplasnin me njëri-tjetrin,
Në mallëkime e në sharje.
Si mund të kthehet kështu një dashuri,
Për pak zënka, për pak xhelozi?
Çdo ditë që vinte grindeshin si furtunë,
Dhe ajo ndjente cdo ditë e më shumë,
Të humbiste nënë e baba,
Nga grindjet pafund,
Nga sherret e mëdha.
Ashtu e strukur në një cep,
Ndjeu hënën ta përkëdhelte në faqe,
Iu kujtua dora e nënës, dikur,
Aq e ëmbël dhe fryma e saj manushaqe.
Pse u prish nëna ime?
Cfarë i ka ndodhur?
Dhe lotët iu shtuan.
Yjet lart në qiell ia bënin me sy,
Të luante me ta, e ftuan,
Në rrugët gjysëm të errëta,
Siç luante dikur me babanë.
Sa e kish marrë malli për një fjalë të mirë,
Dhe vrapin të merrte rrugës ndanë,
Kur babai e ndiqte symbyllur në errësirë!
Por ajo s’lëvizi që aty,
As yjet s’i pa.
As xixëllonjat që i vinin vërrdallë,
E ia bënin me sy,
Sikur kërkonin t’i thonin ndonjë fjalë,
Ta pyesnin lodrat ku i kish?
Dikur ajo lozte me to e i vendoste sipër,
Si një copë qiri me flakë, si një copë pishë,
Dhe ato bënin dritë mbi lodrat e saj,
Dhe ia ndiznin sytë e zemrën shkëndijë.
Kujtimet i erdhën ndërmend si në ëndërr,
Dhe ajo ndjeu mall,
Shumë mall për atë kohë të bukur,
Pse e harroi, babai ku ish zhdukur?
Ajo nënë e parë, e dashur, pse u ftoh?
U ngrit në këmbë,
Lotët iu shtuan,
Por dhimbja i dha forca dhe e shtyu “Ec!”
I donte të dy, i donte aq shumë,
Hyri me vrap në dhomë duke qarë me dënesë,
E ulëriti me zërin e saj të hollë “Mjaft!
Nuk shikoni? Këtu jam dhe unë.”
Lotët pikonin dhimbjen te këmbët e tyre.
Sytë e pafajshëm të kësaj fëmije,
Ua vodhën zërin të çjerrave ,
Me dritën e mallit që digjej
I mpiu dy trupat, si meit i ktheu.
Babai filloi t’i përkëdhel flokët me dhimbje,
Nëna i mori dorën që i dridhej në të sajën,
Ndërsa burrë e grua hanin mërinë me dhëmbë,
Me shikime plagosnin njeri tjetrin si rrufetë,
Zëri i saj i tronditi,
I bëri të heshtin, të dridhen,
U kujtoi se po vrisnin një tjetër jetë,
Pafajësinë e brishtë të dashurisë së tyre.
Kujtim Hajdari
(Foto web)