Ngujuar – Fatmir Gjata
Ngujuar
U mbyllëm përbrenda shtëpive njëherë,
(kjo botë paska dhe shumë gjëra të këqija)
Mbas xhamash mbinë lulet këtë pranverë, dhe fajin na e paska padyshim qeveria
Të vdekurit nuk i shohim, janë aq shumë,
dhe s’dimë se çfarë të bëjmë nga mërzia
Vështirë është të rrish e flesh gjumë,
dhe fajin na e paska padyshim qeveria
Gëzojnë varrmihësit e fërkojnë me duar,
tabutet pa një shenjë të blerë që qëkur
Thonë djajtë vetë na qenkan të gëzuar,
e vallen shpesh e hedhin mbi qivur
Veç qentë në mes të ditës lehin shpesh,
e bredhin bashkë nëpër qytetin pa njeri
E lënë takime nëpër rrugë edhe në shesh,
e mbase bëjnë dhe pakëz dashuri
U mblodh dhe parlamenti më në fund,
paçka se thonë virus nuk pyet për politikë
E mbase do na lejnë ndonjë krund,
se miell të tyre e kanë bluar në fabrikë
E s’dimë prej kujt të kemi frikë më parë,
se zë s’na mbeti më për të mallkuar
Ngujuar brenda muresh duke qarë,
me lotë që rrjedhin faqes pa shteruar
Fatmir R Gjata