Shshshëët, Xhulietë – Iliriana Sulkuqi
…SHSHSHËËT, XHULIETË…
-…nuk mund të vetvritesh dy herë…-
(Sapo librat u prekën
me duar…
personazhet,si somnambul,
filluan të lëvizin…)
***
Shshshëët, Xhulietë,
kthehu në lirinë e qetësisë tënde.
Nuk e sheh?
Harresën, askush nuk e pret…
Jashtë s’ka stinë të pranvertë.
Jashtë as ajri s’të bëhet oksigjen…
Jashtë, nuk sheh asnjë gjurmë…
…
Shshshëët, gjumë-ëmbla
Xhulietë.
Që nga koha jote
jetohet po ai shekull
që dashuritë i vret,
ndërrohen vetëm numërorët,
gdhendur me ëndrra prej gënjeshtre…
…
Shshshëët, gjumë-ëmbla
Xhulietë,
Mos e kapërce pragun e vdekjes tënde,
S’mund të vetvritesh dy herë…
…
Shshshëët, Xhulietë…
Kthehu në shtratin
ku përkëdhelesh, si ëndërr…
…dhe
Zgjohu në zgjim të albtë- NESËR,
të puthesh si në përralla,
VËRTETË,
XHULIETË.
Iliriana: “duke pritur-Nesër…”
Brooklyn, 11 prill 2020
Iliriana Sulkuqi