Paradokse…! – Rudina Muharremi Beja
PARADOKSE…!
Kohë paradoksesh.
Të gjithë dëshirojnë të jenë vetvetja,
ndërsa ekranët çuditërisht
planetit mbuluar trillesh,
çdo ditë, makthit çjerrës
shpalosin modele,
Premtojnë të na bëjnë të pavdekshëm…
e rrënqethjes së rrezes,
aleancë moda i ofron vdekjes…
Siluetë e rrudhave,
që pasiguritë mban peng,
përhumbet tundimesh,
braktis avash portretin tënd…
hiçit venerimesh…
Ndërkohë moda përtyp mynxyra,
pa nofulla të dukshme,
si argjilën lëvron me thonjtë e ndyra
kurme me zemra të mpira,
të pa emocione shëmbëlltyra,
manekinë me vështrime të ngrira,
me të njëjtat buzë të fryra,
e gjokse të përkryera
përplot me shpresa të thyera…,
Rënkon e vdes përditë natyra…
16/04/2020