Të mbajmë distancën sot, përqafimin do ta lëmë për nesër – Gëzim Ajgeraj

TË MBAJMË DISTANCËN SOT,
PËRQAFIMIN DO TA LËMË PËR NESËR
Mes ankthit Corona
Braktisëm karantinën e shtëpisë
Pak ajër të pastër
Pak diell të ngrohtë pranvere e natyrë
Edhe sa kohë të fshihemi
Nga kjo armatë e padukshme?
Sa të nevojshme e ndjej
Ngrohtësinë e diellit të kësaj pranvere
Dhe takimin me njerëzit e mi që s’po i shoh
Ditët e karantinës alpike
Na paskan mbytur mallit i them mikut
Tek e takoj në shëtitje fushës së gjelbëruar
Të mbajmë distancën sot
Përqafimin do ta lëmë për nesër
Motoja që duhet respektuar
I them mikut me buzëqeshje plot mall
Tek i shpalosëm ankthin njëri -tjetrit
S’lamë anash as brengën e atdheut të nëpërkëmbur
Nga etjet e politikës shkatërruese të bajraqeve
Në këtë kohë pandemie
E as hallin e mortjes që na ndjek nga pas
E varret tona që na presin në Atdhe
Grabs, 20 mars 2020