August 4, 2024

Endrra e fushës – Seti Pezaku Vladi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

ENDRRA E FUSHËS

Në çdo stinë fusha velin ndërron,
Një ëndërr mbi qerpik i rrinte ndezur:
Shallin e gjelbër supesh ta mbante,
Të gjitha stinët t’i bleronte.

Shpërtheu ëndrra sythin e bëhet këngë,
Bëhet rreshta selvishë buzë një rruge mbjellë.

Me trokun e viteve të shekullit u rritën
Si refren i flakuar dashurie,
Në çerdhet e tyre zgjoheshin agimet,
Fusha përcillte hënën të flinte.

Në taverrnën e blertë uleshin pelegrinët,
Bilbilat hapnin partiturat e këngëve,
Aty ndalonte udha të pushonte,
Aty jeta niste belbëzimet.

Gërsheti i cicërimave zgjatej nëpër vreshta
Mbi kodrat me ullishte, qeshje perëndie,
Magjia e magjisë grurin e piqte,
Pemët jeshilonte, frutat i ndizte.

Erdhi një muzg i veshur me mjegull,
Një dimër kurrizthyer me potere dallgësh,
E prenë burimin me valë cicërimash,
Me vete morën dhe ëndrrën e fushës.

Zogjtë u larguan si funeral i ngrirë
Duke lënë nga prapa një psherëtimë.

@seti pezaku vladi

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com