August 7, 2024

Nuk besoj t’më kesh harruar – Sabit Rustemi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

NUK BESOJ T’MË KESH HARRUAR

Nuk besoj të kesh fjetur
mesnatës së vonë të këtij mëngjesi të hershëm
që tej xhamave të shpirtit rigon shi
e shtresave të nëdheshme të kësaj qenie të pafjetur
bimon mungesë e mërzi

Nuk besoj as të jesh zgjuar
apo të jesh mbështjellur nëpër ndonjë re
të këtij nënqielli
për tu endur erërave të kësaj dite që s’gdhin
drejt çative të syve të mi
të cilët nuk mbyllen as hapen
pa vetëtuar shtigjeve andej ku je ti

Nuk besoj as që nuk je në ndonjë ëndërr të paparë
që shpërfaqet perdeve të kujtesave të pashlyera
mbjellur nëpër ditët e moteve që shkuan
falë ndjenjave që erëmuan
poreve të vjetra e të reja të këtij Mali që hesht
e nuk harron

Nuk besoj që ti
si një dashuri e pafjetur nëpër kohë
me agun e parë të këtij mëngjesi
nuk nisesh andej kah ke munguar
milionave çasteve që ikën
e s’na bënë një dhe të vetëm
në këtë botë që sa hapet
poaq mbyllet e fshihet prej nesh

Nuk besoj t’më kesh harruar
t’më kesh lënë jashtë mendjes e zemrës sate
krejt të vetëm
në këtë kohë të pakohë
që një botë ka trazuar

Aq më pak besoj që ka ndonjë ndalesë diku
e cila mund ta kthej mbrapshtë
hapin tënd drejt meje
me tërë atë mal të dendur dashurie
që mugullon
mugullon
dhe vetëm mugullon

21 Prill 2020

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com