O det…! – Kujtim Hajdari
O DET!
O det, sa jam ndeshur e shpesh kam harruar,
Me ty bot’n e hidhur, e jetën e shkuar,
Sa herë në qiell mua më ke ngritur,
Sa herë errësirës poshtë m’ke zbritur.
Në flladin tënd sa herë jam prehur,
Ashtu si pranë gotës xurxull i dehur.
Kur vitet e rëndë më vrisnin mbi shpinë,
E koha më hidhte baltë e suferinë,
Në krahë trishtimi kur rrija gur në bord,
Prej supesh më kapje e më tundje fort,
Dhe unë mes dallgësh hidhesha furtunë,
Një fije shprese kërkoja gjithëkund.
Sa herë me lotë fundin ta kam parë,
Kur unë i paepur tërhiqesha zvarrë,
Herë-herë m’fusje frikën edhe tmerrin,
N’rropullimën tënde kur shikoja Ferrin.
Herë më përplasje në breg si fundërrinë
Herë në majë të dallgëve me jepje lirinë,
Shenjat gjatë bregut akoma kanë mbetur,
Si në diell imazhi fytyrës së thekur.
E thinjat e bardha që dallgët kanë vënë,
Mbi flokët e mia ti gjurmë i ke lënë,
Por prapë, mes dallgësh unë dua të jem,
Dhe sfidat me ty, prapë dua t’i kem.
Nga KUJTIM HAJDARI
( Foto Austri ,2014)