Mos e prisni ullirin – Kujtim Hajdari
MOS E PRISNI ULLIRIN
Mos e prisni ullirin e vjetër, shekullorë,
Njerëzit kalojnë vapën në paqe, qetësi,
kënaqen kur kalon me zhurmë e kemborë,
Bagëtia mbasdite, kur fillon i lehti verì.
Trungun e gjërë dy burra nuk e pushtonin dot,
Njëqind burra qëndronin nën hijen kurorë,
Në shekuj sa dashuri kish parë e sa lotë,
Sa kalimtarë pushuan viteve, në vapën hor.
Dukej ulliri nga mosha, i vjetër me jetë,
Rrënjët e shtrembëra, me kurriz nga toka dilnin,
Të etura per dritë ngrinin gungat përpjetë.
Në të vjetrin trung ulliri sa legjenda flinin!
Në hijen e tij, dikur, kishin bërë dasëm djajtë,
Betohej më i vjetr’ i fshatit mbi kokë të Perëndisë,
Se kish dëgjuar gjithë natën e korrikut muzikë,
E kudo, hije që lëviznin e hidheshin pa frikë.
Zanat kishin vallëzuar tre ditë e tre netë pa pushim,
Edhe në mes te vapës, nën hijen e ullirit,
Bukuria e tyre kish çuar këdo në verbim,
Këdo që afrohej për të parë bukuritë e gjirit.
Një çift të rinjsh thonin se ishin çmendur aty nën hije,
Trupat e tyre kishin marrë flakë nga dashuria,
Sa herë që lëviznin në ajër fluturonin shkëndija,
Edhe vendin kishte mbuluar kjo dhimbje historie.
Magjistricka e dëgjuar e fshatit, nëna Marije
Dilte shpesh nga varri e ulej përsëri në hije,
Me shkopin që tori lesh tirrte fije magjie,
E këndonte kobshëm “ Erdhi fundi i kësaj njerëzie.”
Erërat e dimrit përplasen me furi në të,
Pushojnë e marrin frymë thellë të shlodhura,
Shpatullat mbështesin në trungun që nuk bën zë,
Me ofshamat e tyre tundin degët e lodhura.
Në ato vite përmmbysje, kur shkatërruam çdo gjë,
Iu turrën dhe ullirit e tentuan ta prisnin dhe atë,
Doli nga sgavra dhe e ruajti një gjarpër i zi,
Me sytë e frikshëm që i çonin zjarr ndiqte çdo njeri.
Thonin se gjarpëri ish me krahë, i ngjante një dragoi,
U ngrit nga shtrati, me shkopin e tij, dhe i moçmi Ali.
Mos e prisni ullirin e vjetër, djema, i këshilloi,
Është gjynah të zhdukni nga fshati gjithë këto histori.
KUJTIM HAJDARI