Një mesazh në gjuhë të huaj – Theodhori Proko
NJË MESAZH NË GJUHË TË HUAJ
Një mesazh në gjuhë të huaj
U shfaq papritur në ekranin blu
Më shkruante një greke hirebukur
“Ela, glikuli-mu`”.*
Pika vajzës, thashë me vete
Ka dalldisur e s’di se ç’flet
Më quan “glikuli”, mua burrin
Gjashtëdhjetë e kusur vjet.
Sikur të ndodhte në një kohë tjetër
Do t’ia ktheja përgjigjen ndryshe
Gjer në Athinë me këmbë do shkoja
Do ta gjeja ku të ishte.
Dhe atëhere do ta kuptonte
Sa i ëmbël isha vërtetë
Kur të digjej me trup e zemër
Në zjarrin që ndezi vet.
Po ç’ti them tani asaj djallushke
Që më zgjoi ëndërra rinore
“Kliko të lutem mbi një adresë tjetër
Dhe t’u plotësofshin dëshirat dashurore!”
*
-Glikuli-mu`- në greqisht, -Ajde, i ëmbli im!