August 3, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Anton Marku

MUNGESA JOTE

Mbrëmë
më fort dëgjoheshin
të dridhurat e zemrës sime
sa sa zhurma e hapave të tu

Sonte
ti i mungon dhomës sime

Në mua
u ndez diçka
që nuk ja dija emrin

Sy i fshehur prapa syrit
u bëra

Andej dritares së hapur
pashë si i mbaje dorën
mbi gjoksin tënd të bardhë

Puthjes si i gdhendje fytyrën
shtrirë mbi buzët e tij.

LUTJE DASHURIE
Do të doja të isha
i vetmi ishull
i jetës tënde

Syri
i diellit tënd

Tingulli
i zërit tënd

Uji
i lumit tënd

Pelerina
e trupit tënd

Sa do të doja.

NË VARR SHKOHET NDRYSHE
Tërë jetën
shtyhemi me brryla
me krejt botën

Etja na merr
për të gjithë ujërat

Kur të vij dita
të dilet matanë
asnjëri në këmbët e veta
tek varri i tij nuk mbrrin

Atje shkohet ndryshe

Mbi supe na bartin
tre a katër të tjerë

Tek atëherë pyetemi
a ditëm të ecim drejt
sa ishim gjallë.

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com