E bar u tha e mbiu prapë – Fatmir Gjata
E bar u tha e mbiu prapë,
e nespull mbeti verdhëlluar
përmbi një degë gjetheblertë,
përmbi një degë të vetmuar
larë nga shi ardhur nga larg,
e tharë nga erëz e trishtuar.
E mbinë lule të çuditshme,
në brinjë, në kockë edhe në mish
me ca petal të madhërishme,
sa më të bukura nuk kish
edhe u thanë duke premtuar,
na jep veç kohë e mbijmë sërish
E koha iku edhe shkoi,
lulj’u bë frut e ra e tharë
ashtu rënkuar e rrudhosur,
sikur dikush ta kishte vrarë
ashtu mbuluar pak me pluhur,
ish lule e bukur u bë farë
Ishim ashtu dhe ne dikur,
bisk edhe lule të lulëzuar
derisa shpirtin bashkë e bëmë,
derisa mbetëm të dashuruar
derisa dielli do të na fiket,
derisa hënë t’na mbes në duar…
Fatmir R Gjata