August 7, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

KOHË DIMRI

Drurët lakuriq të pyllit janë zhytur në brengë,

Pa gjethe, pa lule, pa fluturime zogjsh e pa këngë,

N’ akullnajën e kristalt unë shkel me mosbesim e frikë,

Skeletera drurësh në revolt prej gjumit letargjik.

Era e pezmatuar dhe e xhindosur fryn me tërbim,

Copëtohet nëpër degët e lë brinjët ne trungjet blind,

Mjekon plagët me fashot e saja e nga dhimbja qan,

E unë pamjes mortore i këndoj me ofshamë.

Përroi mbushur plot, në pakujdesi rrokullis ndonjë gur,

Dëgjohet kuisja e një qeni të mbetur përtej qëkur,

Një mëllenj gjysëm e ngrirë mbështetet te këmbët e mia,

Era mbytet në përrua dhe heshtjen përkund vetmia.

Perëndimi krihet në pasqyrë në kristalet e pellgjeve,

Me skeletet e drurëve vizaton figura fantazmash,

Errësira vë ballin në thellësitë e hendeqeve,

Retë e mbarsura flenë shpatit si në ekrane plazmash.

Një ujk, me sytë e kuq, më shikon me habi e vëmendje,

Një pellazg i pazakontë i dukem këtë mbrëmje,

Një ulërimë e zgjatur çan muzgun e zhduket në thellësi,

E më pas humb në errësirë dhe ngjyra e tij gri.

Një frenatë nervose kafshon asfaltin fshatit përbri,

Fashe të kursyera dritash vidhen nëpër dritare,

Ndonjë sobë zjarri tymos qiellin në lartësi,

Yjet pasqyrohen në akull si thërrmija fishekzjarre.

Kërkoj te injoroj edhe pse i zhytur në melankoli,

Hijen dhe imazhin e ftohtë të këtij dimri në prehje,

“Do të vijnë, me grisht pranvera me të sajën nostalgji,

Ditët plot diell e lulet ylber që të çojnë në dehje.”

(Nga vëllimi “Mbrëmë Isha pa ty”)

KUJTIM HAJDARI

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com