Natë pafund – Rifat Ismaili
NATË E PAFUND
Nata shpon veshët e mi
Me zhurmën e erës që ikën…
Me zërat e yjeve që pranë më rrinë
Çast pas çasti zbuloj të Vërtetën!
Flokët e padukshëm ia prek
Si telat nanuritës të kitarës,
Fshihem në jehonat e shpirtit!
Në sytë e mi pluskon barka e Noes
Lexoj hartën e vetes
Bota brenda meje dridhet
Kridhem në dialog naiv me sendet.
Një pikëz e vogël boje
Përpara të gjithave jam.
Që dikur botës do ti humbas
Nëpërmes humbjeve për çdo çast.
Kurrë më s’ do të lindë
Një tjetër si unë.
O Zot, po Noen tani ku e ke
Pushkini në ç’ qiell po shëtit?
A ka më vajza Don Zhuani atje ku fle
Dhe ai fytyrë vrerosuri, Don Kishoti
Mos vallë pret sisët e reve në mes
Në vend të mullinjve me erë?
Çdo bëhet me mua, o Zot
Kur këtu më të mos jem?
Jetoj i mbuluar nga retë
Jetoj i rrethuar nga deti
Jetoj i burgosur nga vetja
Jetoj i dashuruar me grate e mendjes
Jetoj i yjësuar nga shpresat.
Si murg gjuhëprerë
Lexoj pas dritares orakullin e qiellit.
Dua ti jap ditës dritën
Tu jap njerëzve të Vërtetën!