August 3, 2024

Në dasmën tënde – Sokrat Habilaj

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

NË DASMËN TËNDE

Ndoshta s’do të jem në dasmën tënde,
Po ti, të paktën atë natë mos u trishto!
Si një premtim në krahët e një ëndrre,
Unë do nisem dhe po s’arrita në kohë.

Të kam mbetur borxh, thjesht një çast,
Sa të skicoj shenjën e shpirtit në ballë.
Edhe yjet shpesh arratisen nëpër natë,
E braktisin qiellin sa herë ndjejnë mall.

Kur të jetë kryer çdo rit i ri, a i vjetër,
E tangoja e fundit të ngjajë si dënesë.
Thuaj:-Maestro të lutem dhe një tjetër,
Thuaje si trill, që ndoshta e le në mes.

Vetëm për ty do të shfaqem në portë,
Hapi krahët e vogla ime, ja ku më ke!
Ata që ikin vërtet që nuk kthehen dot,
Po ka dhe gjëra që nuk rrinë nën dhè.

Muzikën do ta zgjedh, sa ty në moshë,
Që përgjumur të më mbështetesh në gji.
Për flokët që u prishën do thonë:-Mos!
Po fëmijët se vrasin mendjen për stoli.

Dhe sa të përfundojmë vallen bashkë,
Të tjerë njerëz, do kërkojnë sytë e tu.
Po unë do të përcjell vetë, deri jashtë,
Dhe pastaj do iki. Mos më pyet se ku!

Ndoshta s’do të jem në dasmën tënde,
Po ti, të paktën atë natë mos u trishto!
Si një premtim në krahët e një ëndrre,
Unë do nisem dhe po s’arrita në kohë.

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com