Botë parajsore! – Zamira Hajdari
BOTË PARAJSORE!
Lulet më dhuruan aromën e tyre, më dehën
Të bukurat ngjyra mi fali ylberi, u lumturova
Dlirësinë e fëmijës, shpirtit tim i veshën
Hapa flatrat e ylberta, fluturova!
Eja i dashur, fluturo me mua
Surreale botën tonë,le ta quajnë
Të digjemi bashkë në zjarrin që s’u shua
Si dy gjuhëza flake kur me flladin luajnë!
Kur drita të zbardhë në agim
Eja jeta ime, mes fluturash më gjej
Si lulja’diellit i përulet n’adhurim
Në dorën tënde ulem, ngrohtësin të ndjej!
Eja princi im, të kridhemi thellësive
Jam siren’e bukur, me ty dashuruar
Në grimcëza kristalesh, të tretemi kaltërsive
Botëkaltra jonë, parajs’ëndrra vesuar!
Eh bota jonë, mbushur plot femijë
Shpirtra engjëllorë, të bekuar
Portat janë hapur, kush do, mir’se të vijë
Është vet parajsa nga Zoti premtuar!