August 3, 2024

Te kjo bukuria jote – Besnik Memelli

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

TE KJO BUKURIA JOTE

Te kjo bukuria jote
syri shikon e s’ngopet dot,
sa e bukur edhe bjonde
shpirti po më pikon lot.

Vetull hënë syshqiponjë
në të shtënça unë në dorë,
mbretëreshë apo ulkonjë
s’ke ku shkon moj e gjorë.

Zjarr nga padurimi mora
u dogja u përcëllova,
shpirtin me ty ngatërova
ec ke lali se mbarova.

Ti je yll, e ti je hënë
me ty kam fjetur mbrëmë,
në krevatin e fildishtë
ëndrën realitet e bëmë.

Sa buzë të bukura që ke!
vdeksh tani po nuk mi dhe,
vështrimi yt si një rufe
më godet më rëzon përdhe.

Vezullon kudo që shkon
dritë jep nga drita jote,
brënda meje ti jeton
hyre brënda aty mbete.

Je lavrake flokë gjatë
belhollë s’ke të sharë,
shum e urtë fjalëpaktë
lum unë që do të marë.

Naze shumë mos më bëj
çudi tynë mos të vijë,
çfarë të thashë nuk e çbëj
shpirti yt tek mu do rrijë.

Fër, fër, fër ta bën fustani
hënë ikën, diell kthehesh,
kur kalon ti bëhet nami
yll i bukur kudo mbetesh.

Kalon ti buzëqesh natyra
trupin ëmbël përkëdhel era,
serbes ecën si nga hera
je e bukur si pranvera.

Zogjtë këngën lenë në mes
edhe flasin vesh më vesh,
unë përpara dal të pres
të ndaloj të merem vesh.

Afër ti kur më kalon
afshi yt më përcëllon,
ndjenjat më ngacmon
gjithë trupin më iriton.

Ti më do unë e di mirë
pse më lodh,se mar vesh,
unë me bukë e ti me gurë
do të kap kudo të jesh.

Trupin tënd kur e shikoj
lule më çel zemra mua,
sa qef kam ta ledhatoj
një fjalë pse s’ma thua?

Lodhesh ti, e lodhem unë
vuaj unë, e vuan ti,
boll se na mërzite shumë
ec më fal syrin e zi.

Unë betejën e kam fituar
ta lexoj në sytë e shkruar,
që je fort e dashuruar
pse s’ma thua moj e uruar.

Si vullkan më ndizet shpirti
kur ndonjëherë s’të shikoj,
mendimet e këqija vriti
që je e imja kjo mbaroj.

Unë s’të dua për tu tallur
të dua me të vërtetë,
dashurinë ta kam falur
me ty do kaloj një jetë.

Besnik Memelli
09.05.2020

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com