Nismat – Selajdin Gashi
Nismat
Rrokullisen udhëve, kah yjët e këputur ikin
Të them se nga plagët e kujtesës s’vdes
Ndaj ngrihesh në mesnatë, ulët trokëllin
Përpara portës së madhe gjurmët vështirë shikimi kap
Kalldrëm i moçëm nga shtërgatë rrëmbyese vulën e shputave ka zhdukur
Shtigjeve të reja në mrekulli ëndrrash shpërbëhem
Pranë këtyre çasteve, këtu ku jam, bashk me shpirtin shtrihem
Të qënit gëzoj, pikëllimin dëboj, një presë e një pikë shënoj.
Dashuritë më thërrasin kur dridhen gjymtyrët e mia
Sa është një e sa janë dy kur olimpin thërrasim
Mërzitshëm tekat e tua kanoqe eliksiri në qiell përvjedhin
Nëpërmes ferrit s’kalon dot pa përgjakur gjunjët
Më i lashtë mali se gjoks i fryrë krenarie
Kur kult i vjedhur kundërshton në kërkim të asaj dashurie.
Selajdin Gashi
16.09.2006
Nga libri “Dalja nga Labirinti”