Mbi binarët e vdekur – Fatmir Gjata
Mbi binarët e vdekur
Ka jetë mbi binarët e vjetër,
dhe pse ndalur janë trenat e ndryshkur
Mbijnë lule me ngjyra të gjalla,
mbi kërcyell të plakur e vyshkur
Mbijnë fara të lotëve që ndanë,
lamtumirat me shami të valëvitur
Mbase fjalët e ëmbla u thanë,
nën një diell me vrerë të përzhitur
Edhe pritjet u lodhën të vetme,
në binarë paralelë të vetmuar
Që vrapojnë në mes fushës së gjatë,
kushedi në janë kuaj të shaluar
Edhe shkojnë përtej jetës tashmë,
me kujtime të lëna në hekur
Se vazhdojnë lamtumirat të fshihen,
në binarët e drejtë e të vdekur
Dhe pse dyer stacionesh u kalben,
dhe çatitë u kanë rënë qëkur
Kur po ulen ca shpirtra nga lartë,
e këndojnë nëpër vapë edhe zhur
Fatmir R Gjata
(Foto Sabina Darova)