Kënga e përndritur – Puntorie Muça Ziba
KËNGA E PËRNDRITUR
Unë jam njëmijë vjet më e re se ti, Tanushë
lulëkuqe me katër petale:
kam sy zogu
kam flatra zogu
jam flokargjend,
përngjaj me mollë bejlegu
edhe hundën e kam me kurriz.
Ti je njëmijë vjet më e vjetër, Tanushë
gjithë nahia të kishin lakmi
gjithë rinisë i shkrepte mendimi
se vashë më të bukur s’kishte lind në atë diell.
Ah, vetulla yte si fiskajë
balli si gjysmëhënë
syri si kokërr qershie
goja e vogël, gonxhe që shpërthen
edhe hundën e kishe me kurriz.
Unë jam njëmijë vjet më e re, Tanushë
përngjaj me detin që oshëtin
shëmbëllej me malin që rënkon.
Më kall krupën përralla me mbret
përralla me lugetër të frikshëm,
lugetër të pangopshëm
lugetër të potershëm.
Ata do të ngecin në çark minjsh
ata do të bëhen thërime.
Ti je njëmijë vjet më e vjetër se unë, Tanushë
një grumbull eshtrash nën lëkurë
e thinjur e zhubravitur.
Ti s’e dashuove birin e mbretit
harrove atë hir që e pate
nuk shtegtove në tempull
me kalorësin fisnik.
Qetësinë ta rrëmbyen nga sytë
sapo nisi të rresh
sapo të trembi bubullima e zgjatur,
asaj nate kur prite kalorësin e nëmur.
As unë nuk e dashurova birin e mbretit
nuk shtegtova në tempull,
nëpër kasolle të nëndheshme
me bukë e kripë,
shërova plagë kalorësish fisnik.
Ti je njëmijë vjet më e vjetër se unë, Tanushë
dhe përmallohesh për fëmijërinë,
për fustanet me xhingla
për dy zogj në dritare
për erën e zambakëve
mbjell nga duar nëne
për mendimet paluar
në arkën e vjetëruar.
Ti më pret krahëhapur, Tanushë
se të janë mykur buzët
për fjalën e besës
për këngët
me tinguj të harmonishëm.
Ti do të kuvendosh
do të më pyesësh
fije e për pe:
në kam frikë nga fisi
në kam frikë nga hija ime
në kam frikë nga ëndërrimet
në kam frikë nga kënga e vrugët
në kanë mbet skllevër rrashtë djegur
në ka mbetur burrni në vatër
në ka mbetur dyfek n’dollap.