Sot u bë krimi – Neki Lulaj
Sot u bë krimi
Teatri i emocioneve u rrënua.
Teatri i duartrokitjeve heshti.
Ku është teatri i gëzimit të pambaruar?
Shkoi teatri i zbulimit të talentit.
U prish teatri i shfaqjeve madhështore
U mbyll teatri i ndjenjave, i përjetimeve
Mbeti i plazmuar në palcën shpirtërore
Ku kultura e çdo shqiptari është sublime.
U shemb identiteti si pluhur mbi Tiranë
Tempulli i kulturës qau si fëmijë
Dhembja ime sot po më dhemb deri në asht
Djersa e plakut dhe e të riut mori arratinë.
Mbi mure e dërrasa u fshi djersa e ballit
U thye fjala e artistit si shkarpa e zjarreve
U fye e përdhos dashuria shekullore e shqiptarit
Me moshën e madhe tetëdhjetë e dy vjeçare.
Ku të gjej gjurmët e Naimit, Sandër Prosit
Violeta Manushin e Ndrekë Lucën ku t’i shoh
Ku asht zëri i Reshat Arbanës e Kadri Roshit?
Ku janë artistët kombëtar që dhe gurin e lotojnë?
Ata mbetën fëmijë të përjetshëm në bedenë
Kurrë nuk u kënaqën me kërkesat e sakrificën
Bënë për tokën më shumë se të tjerë
Ëndërr e mbrapshtë para realitetit të hidhur.
Oshëtimë zërash e dhimbjesh brezash ndiej
Prek mjegull eskavatorësh e forca policore
Pranë mureve të rrënuara të krimit hesht.
E marr një gur nga themelet që flenë në troje.
Tiranë-Speyer 17 maj 2020