Në flatrat e ëndrrës! – Zamira Hajdari
NË FLATRAT E ËNDRRËS!
Më mori ëndrra në flatrat e saj,
më çoi diku larg në të botës skaj,
toka ish e djerrë, vendi ish i shkretë,
veç një oaz i vogël jepte shenjë për jetë.
Aty njerëzia jetonte shumë varfër,
uji shumë i çmuar, pak ushqim në vatër,
por njerëzit ishin të lumtur për çudi,
barku i pangopur, por n’zemra dashuri.
Pashë një grua të shpërthej në vaj,
gjinjtë s’kishin qumësht për beben e saj,
por një tjetër nënë mori beben në gji,
e ndau pikën e qumështit me të sajin fëmi.
Dy vëllezër atje tej punonin pa pushim,
frytet e pakta tê tokës mblidhnin me mundim,
i dobët, i sëmurë ish njëri vëlla,
tjetri ish shtatlartë, i fortë si një ka.
Kur dielli në perëndim mblodhi rrezet e fundit,
të dy bashkë vëllezër ndanë frytet e mundit
Njësoj sa unë do marrësh-tha I forti vëlla,
– të punosh sa unë sëmundja nuk të la.
Mbledhur gra e burra në një tryezë rrethore,
bashkë kuvendonin për problemet madhore.
Mendjet e ndritura zgjidhje kërkonin,
nga mund ‘ i varfërisë, njerëzinë të shpëtonin.
Ta kthenin shkretëtirën në tokë të begatë,
të mos vuanin urinë, të mos ishin të ngratë,
të mbushet kjo botë me të lumtur fëmijë,
drita e haresë nëpër sy t’u ndrijë.
Më mori ëndrra në krah’ të dashurisë,
më çoi atje lart, në fron të perëndisë,
Ati ynë qiellor shikonte krenar,
mirësinë e këtyre njerëzve të urtë e bujar.
E ktheu shkretëtirën në Eden të vërtetë,
të jetojë njerëzia e lumtur, e qetë.
Nga flatrat e ëndrrës papritur u rrëzova,
mos ishte UTOPI ajo që ëndërrova?!