Premierë poetike… – Sabit Rustemi
Premierë poetike …
NJË BOTË E ETUR BUZËT TONA I PRET
Ngecëm diku sonte
ecjeve të përhanta kah njëri tjetri
derisa na gjeti shiu
Nga dallgë reshë të dendura
u rrëmbyem e u përziemë
përplasjeve e përndezjeve
duke u shkrirë e skutluar
sumbullave të ujta
fshehtas
pa na parë as nata
Dashuria që ndezi dejtë tanë
shtigjeve të ajrit u lag diku
ajo endacake e natës së vonë
u lidh bistek në ndonjë lajthi
Kot vetëtojnë sytë e tu
e gjëmojnë fërkimeve
eshtrat e mia
Ai çast i ëndërrt është fshehur
aty ku s’preket
e të qetë nuk na lë
as mua
as ty
Mungesa e ardhjeve shtresohet
palë – palë damarëve të zemrës
pulson dhembje
Mbetur mes mishi e thoi
pritja shpon e thumbon
si një therë e moçme
që s’nxirret
e s’durohet
Pa u prekur gishtash
pa u shpuar sysh
e buzësh
dalja e saj n’dritë
vonohet
Deri në një pikëtakim ëndrrash
vetëm sa sharron thellësive pa fund
kjo zjarrmi e ëmbëlt
Tej atij fundi
ku shiu i kësaj nate nuk depërtoi
një botë e etur
buzët tona i pret
( 22 maj 2020 )