August 7, 2024

Një dolli për plakën ! – Sokrati Lambrou

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Një dolli për plakën !

Nuk e di ç’do më thuash moj grua,
por qejfi ma ka e zemra ma donte
të uleshe e të pije një gotë me mua,
sikur dhe një pikë, të paktën sonte.

Merre bodilen, merr dhe dy gota e eja
ta vazhdojmë bisedën atje ku e lamë,
se sonte ma do shpirti, ma do mideja
të të them ca fjalë që bashkë s’i thamë.

Nuk do pi të dehem, mos u bëj merak,
sepse kurr nuk e kalova cakun në pije
kur isha i ri dhe jo më tani që jam plak,
flokëzbardhur e dehja nuk më ka hije.

Mbushe dhe vëre në buzë të shkretën,
të t’njomi gurrmazin, në shpirt të zbresi,
se fundja, duhen shijuar vitet që mbetën,
të ikim të ngopur, merak t’mos na mbesi !

Që thua Ti, ta marrim një çik më shtruar,
u bënë vite që mbetëm si kukumjaçkat
dhe mendja na mbeti në kohën e shkuar
kur fëmijët mërguan e ne ruanim plaçkat.

Ruanim leckat dhe ato të shkretat rraqe
që lanë djemtë kur ikën me femijë e nuset,
ruajtëm dhe puthjet që na dhanë në faqe,
lotët që derdhëm sa mbushëm dhe puset.

Ikën vitet, faqet na u thanë e lotët shterën
duke pritur e mbajtur qafën si xhirafë…
por akoma s’po dëgjojmë të trokasin derën,
të shikojmë ndonjërin që t’na rroki në qafë.

Mjafton që flasin tek-tuk, na dëgjojnë zërin,
por nuk e kuptojnë se ç’do të thotë mall- prindi,
ç’do t’thote pike loti, lotin ta derdhësh të tërin,
se ç’dhimbje ndjejmë ne, Ti, ajo nënë që i lindi.

Eh moj grua që s’ma prishe qejfin mua plakut.
U martuam, si aso kohe, bëmë fëmijë një qerre
dhe i rritëm me një poçe që zjente oxhakut
me ato shkarpa, ca driza të thata, dega ferre.

I rritëm me ato halle, i ndoqëm dhe me shkollë.
I martuam e të gjithëve u dhamë nga një kupë,
një lugë të hanin. S’kishim tjetër, ishim aq holl
nga fukarallëku që ndershmeria na e la mbi sup.

Por, Ti, mos m’u mërzit që të them ndonjë fjalë.
Nga marazi e kam dhe unë i shkreti, s’e mbaj dot,
se më dhemb shpirti e malli më është bërë mal,
aq sa të shpërthej si vullkan në një llavë vetëm lot.

Nuk dua të shikoj me ballin vrenjtur, buzët varur.
Dua të pish sonte e të besosh në stinët që vijnë.
Na, i pe dallëndyshet ?- Zëre se ata kanë ardhur
e po rindërtojnë folenë, do bjenë fëmijët të rrijnë.

Ja, Gëzuar ! Ktheje, të të lagen buzët e thara,
buzët që dikur t’i njomja unë çdo ditë e nga pak !
Ktheje dhe mendo sikur të fillonim nga e para,
Ti të ishe prap e re dhe unë jo si sot, kaq plak !

Nuk të detyroj në pije, por unë do e pi me fund.
Do e pi për Ty, për shpirtin që ke, të artat duar,
për gjithçka që bëre me mua dhe me aq mund,
për ata fëmijë që rritëm, pa çka se janë larguar !
……………………………..
…@Sokrates

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com