Heshtje në qytetin tim – Sokrati Lambrou
Heshtje në qytetin tim.
Heshtje në qytetin më të lashtë,
aq sa ndjej dhe frymëmarrjen time,
rënkimin e t’pa strehëve që flenë jashtë,
çukitje harabelash që kërkojnë thërrime.
Heshtje, skëterrë, ku askënd nuk sheh,
përveç rrugëve bosh, ndërtesa të vjetra,
ndonjë mace t’uritur, ndonjë qen që leh,
qepena të ulura nga njëra anë dhe tjetra.
Heshtje dhe pas mureve të gurta
nga tmerri që po na fut armiku,-hije,
nga meraku për moshat e treta, të urta,
se mos ua dëgjon zërin e në kokë u bie.
Heshtje dhe në kishën që kam përbri
me këmbanat e rënda që dikur buçisnin
për meshat…, martesën e ndonjë çiftit të ri,
për përcjelljet e fundit të atyre që vdisnin.
Heshtje dhe nga Dhespotët, priftërinjtë,
nga besimtarët që e bënin priftin Zot,
ku sot janë izoluar, të fshehur si minjtë,
nga frika se do sëmuren e s’e hedhin dot.
Heshtje e frikë që ka pllakasur gjith’kund,
por jo tek ”skifterët” që të çajnë ballin,
tek ”ujqërit” e kësaj mjegulle të pa fund
që na hanë shpirtin se gjoja na e qajnë hallin.
Heshtje në murgje, në varrezat e çdo qyteti,
që u përhap pa pritur e pas gjithë mundit
që japim kundra kësaj të keqe që na gjeti,
ku s’i qajmë dot, s’u japim lamtumirën e fundit.
Heshtje dhe në çdo pavion reanimacioni,
ku mjekët japin shpirtin, t’mos dorëzohen,
ku pas maskave u zjenë gjaku, profesioni,
ndjenja njerzore, që,- të gjithë të kurohen.
Këto ditë heshtin këmbanat, minaretë,
heshti dhe vet Zoti, të gjitha Perënditë,
por nuk heshtin mjekët që shpëtojnë jetë,
që luftojnë Coronavirus-in çdo natë e ditë.
…@Sokrates