Do t’i nis dy pëllumba të bardhë – Kujtim Hajdari
DO T’I NIS DY PËLLUMBA TË BARDHË
Unë do t’i nis dy pëllumba të bardhë,
Me zarfin e këngëve që këtu ke kënduar,
Një copë pranvere do ta zgjojnë në të ardhë
Një notë dashurie djegur, përmalluar.
Ti hapi e kujto me mallin në zemër,
Korijet e shpirtit ku dhimbja rri peng,
Ku plagët akoma na thërresin në emër,
Udhëve të fatit mbushur mall e brengë.
Ku unë si i çmendur të kërkoj, të thërras,
Gjer n’orët e vona që dikur përpinim,
E tremb edhe natën kur qetësisë i flas,
Per të gjetur nën yje gjurmët ku rrinim.
E vramë një t’ardhme plot sythe paçelur,
Siç ishim të dy shpenguar, të marrë,
Por nuk dua të vras lumturinë e ngelur,
Nuk dua as shpirtin ta mbys si në varr.
Nuk dua të mendoj se vitet që shkuan,
Nuk dua që shpresën ta humb se një ditë,
Mund të ndezin në zemrat tona që lënduan,
Dy zjarre që dhe fikur ruajnë dashuritë.
KUJTIM HAJDARI