Tungjatjeta, e dashur! – Zoica Gjolla Popi
Poezi
( nga libri “Vals I Dashurisë”)
Tungjatjeta, e dashur!
Alo… alo!…
tungjatjeta e dashur!
Për atë fjalë që mundohet
por s’thuhet
ra në ujë
rreth formoi
ra në trup
e u drodha
ra në zemër
seç u plaka
seç u mpiva
seç u mpaka…
Ja që kështu jam unë
mos qofsh kështu dhe ti!
Alo… alo!…
më fal e dashur!
U turbullova
hutimi kafshoi buzën
dobësia u tund lehtë
si një gjethe plepi
nga erëmali fryrë
mendja përplasi dyert
arësyen të gjente.
Alo… alo!…
përgjigju e dashur, aty je?
Si mes një oqeani
dhe nimfë u bëfsha
a arrij dot?
Se fjala qëndroi pikë në vrer
mbase padashur
mbase për shaka
eh, ç’ e trembi gjumin
e s’ e zura dot…..
Alo… alo!…
të lutem, falmë…e dashur!
Nuk qëndrova dot
mes dy kohëve
si ndërmjet dy anëve të një lëndine
se prekja kërkon prekjen
në dorën e ngrohtë
fjalëzat nëpër buzë
më shtendosën
brenda faljes…
Alo… alo!…
Tungjatjeta, i dashur
këtu jam….!!