Ne ditën e dëshmorëve (dhe sot) – Ibish Neziri
Ibish Neziri
NË DITËN E DËSHMORËVE
(DHE SOT)
Te varret nuk iu erdha
As lule nuk vendosa mbi lapidar,
Sot para jush nuk u përkula,
Nuk rashë në gjunjë
Me asnjë rresht nuk iu nderova
As një fjalë se shkrova kund.
Si shumë herë,
edhe sot, ju disa,
në kujtime,
si dikur me hap të leht si era,
në të rënë të muzgut,
në heshtje me erdhët
Në heshtje ju prita
Juve, të mirët e mi
Siç iu prisja te dera.
Nuk shkrova, pos në këtë copë letre,
As një, të vetmën fjalë,
Lapsi në dorë m’u ngri
Nuk desha që ndonjë i palavdishëm
Vargjeve të mia
T’ua mbathte thirrjen LAVDI!
Ju, edhe pa këtë, të lavdishëm jeni
trimat e mi
që malet i morët
Me një armë krahut, a pa të
për t’u kthyer rreze drite e
xherdan lulesh në ballin e atdheut,
Ju të mbuluarit me lavdi edhe pa thirrjet tona
Ju fatkëqinjtë,
Fatbardhët,
Të mirët
që atdheut i sollët liri
JU DËSHMORËT E ATDHEUT!