Vargu – Puntorie Muça Ziba
VARIANT PËR VARGUN NË KOHË KARANTINE
Vargu
Je musht vjeshte,
je loti që rresh nga akullnajë shpirti,
prafullimë që kapërcen nga damarët
dhe merr udhët e botës.
Je plazmë që ndalon rrjedhën e gjakut
nga dregëza lëkurore,
je guall plage.
Je uragani që vret të ligun
puhizë që përkëdhel urtarin
dhe frymën e të shenjtëruarit…
Mbete magjia që zgjëron horizontin
përtej fshehtësisë…
Je dorë që lëmon
pasqyrë ku shoh dritëzën e ndezur.
Je zë zogu
zë shiu
zë vajtojce
vaj bebeje…
Je zhurma e takeve
të zonjave që vërdallosen buzë Senës
kur presin dashnorët e zhuritur.
Je bardhësia e brushës së piktorit
që imagjinoi sytë e Monalizës lazdrake…
Je shfryrje
je rrufe,
shkrepje je.
Je vashë e brishtë e nazike,
je perëndeshë.
Je lartësia që zë vend
mbi gojët llomotare të politikanëve cakërran…
Je petale fonemash të trëndafiluara
je arma ime e vetme,
je religjioni.
//