Më mungon – Lumni Nimani
Më mungon
Pritmë o Atdhe im i dashur, i shtrenjtë
Se malli për ty më është sa një mal
Me ty të çmallem o Tokë e shenjtë
Do nisem për rrugë sapo agimi të dal.
T’kënaqem n’atë vend ku u linda e u rrita
Në atë Shqypninë teme që më mungon
Atje ku diellit n’agim i del e bardhë drita
E shpirtin tim me ngrohtësi ma ledhaton.
Sa më mungon ai qielli yt kaltërsie
Dhe ai det që më freskon zemrën time
Oh sa mall kam për atë vashë arbërie
Atë, që ditë e natë e mbajë në kujtime.
Vitet ngarendin dhe ato shpejt kalojnë
Në këtë kurbet të zi dhe të mallkuar
Trupi më dridhet dhe sytë më lotojnë
Për Tokën time, e për vashën syshkruar.
Kur atëbotë erdha këtu isha çun i ri fare
Por gjysma e shpirtit atje pas më mbeti
Tek sybukura ime flokartë e lozonjare
Që s’e ka shoqen askund në botë n’gjeti.
Për fushat me lulëbozhure kuq si gjaku
Në të cilat si fëmijë pas fluturave vrapoja
malli më mbytë, m’ndrydhë siç në fyt laku
Veç këngë dashurie për ty m’del nga goja.
Edhe për ata tinguj të ëmbël të çiftelisë
E ato fjalë t’Naimit me atë gjuhë Përëndie,
E t’i hidhem n’përqafim vashës së Arbërisë
E bashkë me të, të lidhim kurorë dashurie.
Lumni Nimani
16. 06. 2020
Gjermani