Në ëndërr me Migjenin – Seti Pezaku Vladi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

NË ËNDËRR ME MIGJENIN

Në ëndërr u takova me poetin
Mbi një log reje të bardhë si loti.
Era na shtynte,
Era na ulte e na ngrinte.
Karvane malesh
Ende nën flamuj melankolie,
Zgjatim i një muzgu nate shamizezë
Me dhimbjen që s’fle.

Malli e kish marrë
Për cicërimat e syve të jeshilta.
Shpirti i shqetësuar trokiti nëpër dyer,
Si dikur me libra në dorë.
Priste të shikonte
Buzëqeshje të stolisura fatesh,
Mjegullnaja ia theu shpresat.
Mulliri buzë përroit bluante ende varfërinë,
Pranverat çelnin lule, por nuk erëmonin,
Gjoksi i grisur i maleve
Këndonte balada vetes.
Një shigjetë trupin i përshkoi,
Uli kokën dhe heshti si në një mort.

Sytë në përpëlitje preknin refrene jete.
Herë-herë me ekuacione binjake,
Me gjymtyrë të ndryshuara.
Kapërcyen vitet të kërrusur me dhimbje,
Me zota të perënduar…
Eh, vitet tona të nemura
Hipur mbi qerre motivesh të largëta!
Loti i thinjur
U këput e ra mbi valët e Drinit.
Psherëtiu dhe Rozafa lart mbi shkëb!

Nga logu i resë që lëviste
Një gravurë i dilte përpara:
Disa në valse oborrtarësh,
Disa në trishtimin e djepit të skamjes.
-Një gur i rrokullisur ky fat!,-foli
Nëpër dhëmbë poeti.

Lëvizte logu,
Lëviznin edhe arat djerre,
Shtretër lumenjsh të gërryer,
Valbona që lëngonte
Dhe në heshtje fshihte lotin,
Malet pa lisa e çerdhe jete.
Shtigjeve priste plaga dhe shpaga…
Një tjetër mal rrëzonte plumbi i zi!

Të kapërcente brengën e zemërimit
Këngët e rinisë deshi të dëgjonte.
-Amaneti juaj,
Tretet në flukse emigrimi, poet!,-dëgjoi një zë.
Një rrudhë e thellë ballin i plugoi.
Taraboshi mbi supe i ra dhe vikati:
-Rini, dhimbja e kockës sime!
Pash sytë e tu,
Lere këngën tënde të marrë udhë,
Udhëve të vendit tënd!
Shkule nga rrënjët gramin që bimët zvenit,
Mbill trëndafila të kuq si gjaku yt!
Heshti me kokën ndër duar.
Qielli bubulloi!

Në logun e resë me krahë pëllumbi
U ngjit shkallëve të qiellit
Si një psherëtimë e shpirtit të erës.
U bashkua me yjet të digjet në përjetësi
Mbi brengën e vet.

Nuk arrita t’i jap Jezercën me mall.
U zgjova.

@seti pezaku vladi
25/02/2019

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com