August 3, 2024

Shpirtëra të trishtë – Shqipe Bytyqi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Në ditën nderkombtare te eliminimit te dhunes seksuale ne lufte

SHPIRTËRA TË TRISHTË
(leximi per moshën mbi 18 vjeq)

Në netët e trishta, si varr
në ditët e vetmisë skëterrë
shpirtit, ndjej çirrjet tuaja
atë zë t’shtjerrur
atë shpirt t’llahtart
atë frymim buzvarri
Ndjej, kur shpirti i trisht’
braktis trupin gati t’pajetë
për t’mos ndje dhembjen
për t’mos ndje trupin e turpin
Ndjej, kur mendja ikë n’çmendi
kur edhe qerpiku ngrihet
kur çdo gjë shuhet
e ngadalë… vdes

Ndjej tehun e thikës
mbi trupin e dlirë
ndjej cigaren e ndezur
si përcëllon t’bardhën lëkurë
dhe ato duar mizore
shumë duar… kudo duar
t’gjitha njëjtë kundërmojnë
barot, alkohol, gjak
ndjej atë zë, që timpanin shpon
që t´gjitha qelizat nervore
gjitha sinapsat
tanësinë e trurit
pakthyeshëm, dhunon
Tërë llymi
gjithë e pështira
e k’saj dhe asaj bote
shkrirë n’atë zë serbi
dhe ai…
ende aty
ende i strukur n’kokë
fle e dhemb n’heshtje
e shpirtin më mban peng
fle e helmon n’heshtje
e kur zgjohet…
ah…, kur zgjohet ai
godet, therr, n’gjitha anët pret
çdo thithje ajri, mijëra qeliza vret

Mbaj mend
bishat me bisht ndër shalë, ikën
rrugëve, fëmijë, gra, burra
me sy e shpirt shkyer
turma me lot e lule
puthnin tanket e helmetave blu
e unë
veçse kisha vdekur
veçse kisha vdekur…

Ende rastis
bota m’drejton gishtin
m’duket sikur kokë m’kokë përgojojnë
me shikimet që gozhdojnë
e unë sërish vdes
dhe kur copat e shpirtit
mes dhembjesh mbledh
gati gjakos lëkurën duke fërkuar
Thonë se uji pastron çdo gjë
kjo është gënjeshtër e kulluar
ka më shumë se njëzet vjet
trupin e turpin
s’ia dola për t’pastruar!

Me dhembje, njëzet mijë grave dhe vajzave të dhunuara në luftën e Kosovës nga forcat policore, paramilitare dhe militare serbe

ShB

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com